aphidoletes-aphidimyza-larva insect-white-fly insect-trips dscn2533 dscn1648 dscn2555 mandarin-unshiu mand-tangerine kast-demt_-frut-ftohte liriomyza-trifolii
fotografite

Mënyrat e ujitjes së bimëve.

 

Mënyrat e ujitjes së bimëve janë të ndryshme. Ato kanë evoluar me kalimin e viteve, falë përmirësimeve të rëndësishme të sistemeve të ndryshme që shfrytëzohen për shpërndarjen e ujit dhe kërkesave specifike të mënyrave të ndryshme të prodhimit. Parimet më të rëndësishme që kanë karakterizuar këto ndryshime kanë qenë rritja e koeficientëve të shfrytëzimit të ujit, rritja e  fleksibilitetit të rregullimit dhe kontrollit të dozave të ujit, rritja e efektivitetit të burimeve energjetike që shfrytëzohen për shpërndarjen e ujit, kufizimi i efekteve anësore që mund të stimulohen nëpërmjet ujitjeve dhe zgjerimi i mundësive për shfrytëzimin e ujit si transportues i plehrave dhe kimikateve të tjera tek bimët.

Në varësi nga karakteristikat e sistemeve të ndryshme të prodhimit ujitja e bimëve të kopshtit (pemë, perime, lule) ka diferencuar në disa mënyra; ujitje me dorë, ujitje në formë shiu, ujitje me pika, ujitje me përmbytje të alternuara (ebb and flow), shtretërit lundrues dhe ujitjet nëpërmjet mjegullimit të sistemit rrënjor.

 

Ujitja me permbytje pa dyshim që përfaqëson mënyrën më ekstensive të ujitjes dhe shpenzimet maksimale të burimeve ujore. Për këtë arsye duhet te perjashtohet si mundesi.

 

Ujitja me permbytje.

 

Ujitja në formë shiu ka qenë për shumë kohë mënyra më e përhapur e ujitjes në sera, por edhe për ujitjen e bimëve në fushë të hapur. Ujitja në këtë rast realizohet nëpërmjet një sistemi tubash nën presion të vendosur në tavanin e serës, ose një sistemi shi hedhësish, stacionarë, ose të lëvizshëm.

Ujitja ne forme shiu ne serrat per prodhimin e fidaneve perimore.

Problemet kryesore të këtij sistemi ujitjeje janë të lidhura me shpenzimet e mëdha të energjisë, që kërkohet për të siguruar një presion relativisht të lartë të ujit në tuba, mungesën e uniformitetit në shpërndarjen e ujit për shkak të humbjeve të presionit dhe së fundi në stimulimin e shumë sëmundjeve kërpudhore për shkak të rritjes së përmbajtjes së avujve të ujit në ajër. Për këtë arsye, paralelisht me zgjerimin e sistemeve të ujitjes me pika, roli i ujitjeve në formë shiu është transformuar drejt shfrytëzimit të tyre për të ulur temperaturën e bimëve në serë, nëpërmjet ujitjeve të shkurtra me doza shumë të vogla uji. Ndërkohë, për të rritur uniformitetin e shpërndarjes së ujit, janë adaptuar sisteme të lëvizshme të ujitjes në formë shiu. Këto të fundit janë të ndërtuara nga traversa të lëvizshme për gjatë gjatësisë së kampatave në serë, në të cilat janë montuar një seri sprucatorësh. Kjo mënyrë ujitjeje përfaqëson sistemin më të avancuar të ujitjes në serat për prodhimin e fidanëve të perimeve, apo në ato që shfrytëzohen për prodhimin e perimeve, ose luleve me dendësi të madhe mbjelljeje.

 

 Ujitja me pika.  Aktualisht përfaqëson mënyrën më të përhapur të ujitjes në serra, por ajo po dominon edhe ujitjen e perimeve në fushë të hapur, vreshtave dhe pemëtoreve.  Ajo është në mënyrë të veçantë e përshtatshme për kulturat bujqësore intensive. Sipërfaqet e ujitura në këtë mënyrë kanë ardhur vazhdimisht duke u zgjeruar, falë avantazheve të shumta të saj, krahasuar me mënyrat e tjera tradicionale të ujitjes.

 

Ujitja me pika.

 

 

Ujitjet me përmbytje të alternuara përdoren gjerësisht në prodhimin e luleve dhe të bimëve dekorative në sera. Sisteme të tilla janë të ndërtuara nga shtretër të cekët të ndërtuar nga materiale plastikë, metalikë, ose çimentoje, të cilët në periudha të shkurtra kohe përmbyten me një shtresë ujore prej disa centimetrash. Bimët e vendosura në vazo absorbojnë ujin nëpërmjet infiltrimit nga pjesa bazale e tyre. Alterimi i shpeshtë i përmbytjeve me tharjen e plotë të shtretërve mundëson krijimin e raporteve normale ujë-ajër në sistemin rrënjor të bimëve.

 

Ujitja me permbytje te alternuar.

Shtretërit lundrues janë një mënyrë e veçantë ujitjeje, që shfrytëzohet në prodhimin në hidroponi të disa specieve perimore, në mënyrë të veçantë të sallatës jeshile. Në këtë rast, në depozita të cekta të mbushura me tretësira ushqyese notojnë kaseta polisteroli ku mbillen dhe rriten bimët. Përveç nevojës për të verifikuar në mënyrë të vazhdueshme përmbajtjen e elementëve ushqyes në këto tretësira, i rëndësishëm është gjithashtu pasurimi i pandërprerë i tyre me oksigjen.

 

Sallate jeshile e kultivuar ne shtreter lundrues.

Mjegullimi i sistemit rrënjor të bimëve njihet gjithashtu edhe si aeroponi. Në këtë rast bimët fiksohen në qafën e rrënjëve nëpërmjet kapseve të posaçme, ndërkohë që këto të fundit qëndrojnë të varura në ajër dhe mbahen vazhdimisht të lagura me tretësira ushqyese që shpërndahen në trajta të ngjashme me atë të mjegullimit. Për shkak të përmbajtjes së lartë të oksigjenit përreth sistemit rrënjor të bimëve, aktiviteti i këtyre të fundit është shumë intensiv.

Kultivimi i bimeve nepermjet sistemeve te mjegullimit te sistemit rrenjor.

Pavarësisht nga avantazhet që ofrojnë mënyrat e ndryshme të ujitjes në sera, që të gjitha ato mbarten me vete edhe rrezikun e shpërndarjes së sëmundjeve që mund të kenë prekur bimë të veçanta, në të gjithë sipërfaqen e serës. Ky rrezik është shumë i lartë, nëse tretësirat ushqyese riqarkullohen. Për këtë arsye është i domosdoshëm kombinimi i sistemeve të ujitjes me sisteme të përshtatshme të dezinfektimit të ujit të përdorur.

nuk ka komente.