Prodhimi dhe përgatitja për shartim e nënshartesave të agrumeve.

 

Fidanishtja frutore është vendi ku përgatiten  nënshartesa dhe fidanët e agrumeve apo edhe drufrutorëve të tjerë. Nënshartesat e agrumeve   mund të prodhohet në mënyra të ndryshme; nëpërmjet shumëzimit me farë, me copa të gjelbra vegjetative, ose sytha dhe  meristema në laboratorët e prodhimit in vitro. Farat dhe copat vegjetative për prodhimin e nënshartesave të agrumeve sigurohet nga bimët ‘mëmë’ të nënshartesave, të cilat janë  pjesë e fidanishtes frutore.

Deri përpara disa vitesh dy kanë qenë nënshartesat që shfrytëzoheshin në prodhimin e fidanëve të agrumeve; trigjethëshi (P. Trifoliata) dhe nerënxa (C. Aurantium). Dëmtimet masive nga  tristecia në shekullin e kaluar vunë në provë shkencëtarët e vëndeve të zhvilluara të botës. Si rezultat, u seleksionuar dhe  krijuan kombinacione nënshartesash me cilësi të larta, tolerante ndaj tristecies dhe të pastër nga virusit, viroidet, fitoplazmat dhe sëmundje të tjera të ngjashëm me ta.

Agrumet ndryshojnë nga speciet e tjera të drurfrutorëve për sa i takon riprodhimit të tipareve të nënshartesave të prodhuara me farë. Farat e pjesës më të madhe të nënshartesave në qarkullim janë poliembrionale.  Teknikisht, prodhimi i nënshartesës nga farat me origjinë nukleare vegjetative sjell rezultate më të mira nga ato me origjinë gjenerative apo të  formuara në një proces  normal zigotik. Për këtë arsye, pas mbjelljes dhe mbirjes së  farës në farishte,  kur filizat janë në fazën e çiftit të dytë të gjetheve të vërteta bëhet eliminimi i të gjitha filizave që rezultojnë nga farëra nukleare gjenerative. Këto të fundit dallohen lehtësisht sepse kanë rritje më të përmbajtur dhe jo uniforme, krahasuar me filizat që rrjedhin nga farërat nukleare vegjetative.

 

Karakteristikat kryesore të nënshartesave të agrumeve.

 Nënshartesat e agrumeve kanë karakteristika të ndryshme për sa i takon kohës së hyrjes në prodhim (formimit të frutave dhe farave) dhe sasisë së farës që prodhojnë. Trifoliata dhe rubidoxi hyjnë në prodhim në vitin e katërt, citraget në vitin e pestë, swingle citrumelo në vitin e gjashtë dhe kleopatra e nerënxa në vitin e nëntë.

Numrin më të madh të farave në frut e ka rubidoxi, i ndjekur nga trifoliata, kleopatra  dhe nerënxa.  Citraget dhe Swingle citrumelo karakterizohen nga një numër më i vogël farash në frut. Ndërkohë, për shkak të dallimeve  në madhësinë e farave trifoliata, klepoatra dhe rubodoxi kanë numrin më të vogël të farave për njësi të peshës.

Tabela 1.  Numri farave në një frut dhe për 1 kg fruta.

Emërtimi i nënshartesës Nerënxë Trifoliatë Citrage  Carrizio Kleopatra Rubodox Citrage  Troyer Swingle   citrumelo
Nr. mesat. i farave/ frut 21 26 11 22 34 14 15
Nr. farave vitale për 1 kg >4000 >3500 >4000 >3500 >3500 >4000 >4000

 

Nxjerrja dhe trajtimi i farave të nënshartesave.

Bimët ‘mëmë’ të aprobuara dhe vlerësuara jo më pak se dy  here,  në periudhën  rritje intensive e frutave – pjekje biologjike, vilen kur frutat janë pjekur plotësisht.  Është e këshillueshme që edhe në  momentin e vjeljes të bëhen eliminime për të shmangur frutat e  rrëzuar, të vegjël dhe të papjekur plotësisht.  Frutat që plotësojnë standardin futen në arka plastike ose druri dhe dërgohen në ambientet e fidanishtes për tu trajtuar për nxjerrjen e farës.

Fara nxirret me dorë.  Për nxjerrjen e farës nga frutat e magazinuar veprohet në këtë mënyrë:

  • Frutat e përzgjedhur merren një nga një dhe çahen me thikë për së gjëri
  • Me majën e thikës ose me një pincetë të zakonshme nxirren farat nga tuli.
  • Farat vendosen mbi një ‘garzë pambuku’ në grumbull të vegjël aq sa mund të  marrim pa sforcim dhe manovrojmë me anën e majave të gishtave.
  • Në këtë moment garza mblidhet shuk në një cep të saj, shtrëngohet mirë, vendoset në çezmë me ujë të rrjedhshëm dhe shtypet fortë  e shpërlahet me të dy duart deri sa  të  ngeci në farat që ndodhen brenda saj.  Kjo është shenja dalluese që farat janë pastruar plotësisht prej tulit.
  • Gjithë sasia e farës hidhen mbi një  garzë të thatë, të pastër, të lidhur mirë, për tu trajtuar në të ngrohtë. Procesi realizohet duke e futur të gjithë masën e grumbulluar në  ujë të ngrohtë,  50°C, për 10 min.
  • Më pas farat vendoset për tu tharë në hije, mbi çarçaf pëlhure në shtresa deri 1 cm trashësi. Pas tharjes bëhet trajtimi i farave me preparate për mbrojtjen nga sëmundjet dhe ambalazhohen  në qeska polietileni  së bashku me një letër të lagur,  dhe të mbyllur vendosen në frigoriferë ku mbahen në temperaturë 7°C për 4 muaj deri 1 vit.
  • Fara e trajtuar dhe e ruajtur në këtë mënyrë mund të përdoret për mbjellje dhe mund të mbillet në çdo kohë.

 

Mbjellja e farave të nënshartesave.

 Mbjellja e farave të nënshartesave mund të bëhet në shtretër tradicionalë  ½ të nxehtë, ose në serra të zakonshme për prodhimin e fidanëve.

Pas përgatitjes së shtratit të mbjelljes, fara e cila paraprakisht është mbajtur në ujë të ëmbël për 12 orë, shpërndahet në rreshta 5 cm larg njëri tjetrit, në thellësi 2 cm. Pas mbjelljes fara mbulohet me një shtresë të hollë dherishteje të përgatitur mirë, ose vermikulit dhe ujitet më ujë të bollshëm. Mbirja e farës zgjat 45 – 60 ditë. Gjatë kësaj kohe duhet të përkujdesemi për ujitjen e vazhdueshme, pastrimin e barërave të këqia dhe trajtimet kimike kundër sëmundjeve kërpudhore dhe dëmtuesve të bimëve.

 

Trapiantimi i parë i filizave në vazeta ose qeska të vogla plastike.

  • Pas formimit të çiftit të parë –fillimin e shfaqjes së ciftit të dytë të gjetheve të vërtetë (kjo fazë zakonisht përkon me fillimin e muajit Mars), filizat e nënshartesave trapiantohen  në vazeta ose qeska plastike me përmasa  8 x 8 x 10 cm. Substrati për mbushjen e qeskave mund të jetë vermikulit ose dherishte e përgatitur me përzierjen torfë; perlit : pleh organik  (33 : 33 : 34 %).
  • Përpara shkuljes së filizave bëhet një ujitje e bollshme e shtratit me ujë të rrjedhshëm. Filizat shkulen me kujdes, duke përzgjedhur më të mirët. Lidhen në  tufa nga 100 copë dhe banjëzohen në solucione bajgë të freskët lope, ku janë shtuar pesticide.   
  • Mbjellja e filizit bëhet jo shumë thellë, duke e ngjeshur lehtësisht me dherishten përreth tij.  Qeska fillimisht mbushet deri ½ e volumit të saj. Më pas vendoset filizi me kujdes, mbushet pjesa tjetër qeskës, dhe përplaset lehtësisht dy –  tre herë që të lidhet më mirë filizi me dherishten. Pjesa e sipërme e qeskës (rreth 2 cm) lihet e pa mbushur.  
  • Qeskat e trapiantuara vendosen ne serra ose tunele polietileni. Temperaturat mjedisit duhet të ruhet mbi 20 °C, kurse lagështia relative e ajrit deri 85%. Gjatë ditëve me diell, por veçanërisht pas daljes së çiftit te dytë të gjetheve të vërteta tunelet hapen plotësisht, ujiten në mënyrë të rregullt dhe merren masa për trapiantimin e dytë në qeska polietileni më të mëdha.

 

 Trapiantimi i dytë në qeska polietileni ( 25 x 25 x 30 cm).

  • Trapiantimi i dytë i filizave bëhet në qeska plastike 25 x 25 x 30 cm, pasi filizat kanë formuar çiftin e tretë të gjetheve të vërteta (në fillim të Majit). Në këtë rast, substrati është një përzierje e përgatitur me dhe të pastër mezhdash ose kanalesh, pleh organik,  torfë  dhe 5 % rërë lumi ose perlit në raporte 32 : 32 : 32 : 4 %. Mbjellja e filizave bëhet deri në thellësinë që kanë qenë në qeskën e vogël, mbushen me dherishte, ngjishen mirë dhe ujiten bollshëm.
  • Qeskat vendosen në terren të niveluar, të mbuluar me polietilen të zi, nga 6 copë në rresht dhe gjatësi 15 – 20 ml ose 90 – 120 qeska plastike  në  135 – 180 m2. Gjatë gjithë periudhës deri në pranverën e ardhshme bëhen shërbime të vazhdueshme; ujitje, trajtime kimike, stimulime me plehra kimike të kombinuar, pastrime te gjembave dhe filizave deri në lartësinë 15 cm të filizit, pastrime të barërave të këqija, etj.
  • Shartimi behet në periudhën Prill – Maj, me syth të zgjuar në formë T. Materiali për shartim merret në darkë vonë, ose mëngjes herët nga bimë ‘mëmë’ te certifikuara. Materiali ruhet në hije, spërkatet me ujë, ose ruhet në ambalazh të lagur dhe konsumohet brenda ditës. Nëse prodhimi i filizave bëhet në serra, shartimi është i mundur në pjesën më të madhe të vitit, duke përshpejtuar  kohën e përgatitjes së fidanëve me rreth një vit.