Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës së mikroelementëve.

 

Në agrume mund të shfaqen mungesa të mikroelementeve të ndryshëm, por më të zakonshme janë mungesat e zingut (Zn) dhe manganit (Mn). Mungesa e këtyre mikroelementeve vërehet si në tokat acide ashtu edhe në toka alkaline.

 

Mungesa e zinkut, e përshkruar si simptoma e “gjethes së vogël”, “gjethes me njolla”, apo “rozetës së gjetheve”, është një nga çrregullimet më të përhapura dhe më dëmprurëse në agrume. Mungesa është më akute (e menjëhershme) në tokat alkaline.

Edhe në fazat më të hershme të saj, mungesa e zinkut e ul prodhimin, dobëson vitalitetin e pemës dhe i bën frutat më të vegjël e me cilësi më të ulët. Mungesa e zinkut shkakton njolla me ngjyrë të verdhë kremi të ndritshme(gjethe me njolla). Gjethet mbeten të vogla e të holla  dhe degëzat janë të shkurtra, duke i dhënë një pamje shkurreje. Gjethet gjithashtu mblidhen rreth kërcejve të shkurtër (rozeta) dhe degëzat e vogla thahen. Simptomat janë shpesh më të dukshme në atë anë të pemës që ndriçohet më shumë nga dielli (pjesët nga jugu).

Simptoma te mungeses se zingut (Zn) ne agrume.

Mungesa e zinkut është zakonisht më e rëndë gjatë rritjes pranverore. Sidoqoftë, kur mungesa është e rëndë dhe bimët nuk janë trajtuar, si gjethet e verës ashtu edhe ato që kanë dalë në pranverë shfaqin të njëjtat simptoma.

Për të korrigjuar mungesën e zingut, aplikoni spërkatje gjethore me sulfat zinku (150 gr/100 l ujë),  mbi gjethet e çelura në pranverë kur ato kanë arritur dy të tretat e përmasës së tyre të plotë.  Në rastet e mungesave të thella bëni dy apo më shumë spërkatje gjatë sezonit. Kombinoni trajtimet kundër mungesës së zingut me mikroelementë të tjerë, nëse vëreni edhe simptoma të mungesës së tyre.

 

Mungesa e manganit shkakton njollosje me ngjyrë jeshile të zbehtë midis venave tek gjethet e reja dhe të vjetra. Përmasa e gjethes është normale. Një rrip i hollë jeshil mbetet në çdo anë të venave kryesore. Simptomat janë më të dukshme në anën jugore të pemës. Në kushtet e mungesës së manganit rritja pranverore  e bimëve është e kufizuar. Mungesat e rënda dhe të vazhdueshme reduktojnë prodhimin dhe rritjen. Gëlqerëzimi i tokave mund ta bëjë mungesën e manganit edhe më të theksuar.

Simptoma te mungeses se manganit (Mn) ne agrume.

Mungesa e manganit mund të korrigjohet me anë të spërkatjeve gjethore me sulfat mangani (100 gr/100 l ujë), ose përzierje mikroelementesh, sipas rekomandimeve të prodhuesve të tyre. 

 

Mungesa e hekurit shkakton një mozaik karakteristike në gjethet e agrumeve që vjen për shkak të humbjes së klorofilës. Në këto raste,  vetëm vena kryesore e gjetheve mbetet je gjelbër, ndërkohë që pjesa tjetër e gjetheve klorotizohet. Hekuri nuk lëviz me lehtësi brenda bimës (bimët nuk mund ta tërheqin nga gjethet më të vjetra, ose organet e rezervës për ta ripërdorur në pikat e reja të rritjes). Për këtë arsye, janë gjethet e reja që preken të parat dhe më më rëndë nga mungesa e hekurit, ndërkohë që të vjetrat mbeten jeshile.

Simptoma te mungeses se hekurit (Fe) ne agrume.

Nganjëherë mungesa e hekurit quhet “kloroza e shkaktuar nga gëlqerja” pasi simptomat e saj janë më të ashpra në tokat gëlqerore (të pasura me kalcium) dhe pH bazik. Kjo ndodh sepse në pH bazik, hekuri kalon në gjendje të pa përvetueshme për bimët.  Problemi përkeqësohet më shumë kur përdoren doza të larta uji për ujitje (gjë që bën që në tokë të ketë më pak oksigjen), ose kur temperatura e tokës është e ulët.

Masat agroteknike të parandalimit të mungesave të hekurit përfshijnë ujitjet e kujdesshme (me doza të vogla uji) dhe përzgjedhjen e nënshartesave tolerante ndaj mungesës së hekurit. Tregjethëshi (Poncirus trifoliata) nuk është nënshartesë e përshtatshme në toka problematike për mungesën e hekurit, sepse kjo nënshartesë është më e ndjeshme ndaj mungesës së hekurit.  Mandarinat janë më tolerante ndaj mungesës së hekurit, nëse mbillen në toka të drenuara mira, limonët janë më të prirur për tu prekur nga klorozat krahasuar me portokajtë dhe qitrot.

Mungesat e hekurit mund të korrigjohen nëpërmjet plehërimit me forma të celatuara të kripërave të hekurit, ose spërkatjeve gjethore me plehra që përmbajnë hekur.

Në kushtet e mungesës së bakrit gjethet marrin shpesh ngjyrë jeshile të errët dhe janë më të vogla se zakonisht, me përjashtim të disa gjetheve gjigante që gjenden në degët e bujshme në formë S-je që dalin nga pemë përgjithësisht të pazhvilluara. Rritja e degëzave është e dobët dhe mund të thahen. Simptoma më karakteristike janë formacionet rrëshinore ngjyrë kafe, që zhvillohen në anët e sheshta të lastarëve të rinj. Në lëkurën e frutave me mungesë bakri zhvillohen gjithashtu zona rrëshinore me ngjyrë kafe dhe frutat çahen. Spërkatjet me bakër, qoftë edhe kur ai përdoret thjesht si fungicid e mbajnë lehtësisht nën kontroll mungesën e bakrit.

mungesë të borit, frutat e agrumeve manifestojnë çngjyrime me ngjyrë gri në kafe dhe vatra rrëshire në pjesën e bardhë të lëkurës. Rrëshira gjendet edhe në tul dhe në pjesën ku tuli takohet me lëkurën. Disa fara nuk janë të zhvilluara si duhet, janë të rrudhosura, kanë ngjyrë kafe dhe janë të ngulura në rrëshirë.

Ndryshe nga dëmtimet e insekteve që shfaqen në trajtën e segmenteve të veçuara e të thara në frut, simptomat e mungesës së borit nuk janë të kufizuara në një apo dy segmente, por përfshijnë pjesën më të madhe të frutit. Agrumet janë të ndjeshëm ndaj tepricës së borit dhe ndaj përdorimit të këtij elementi kur ai nuk nevojitet. Për këtë arsye, përdorni plehra me përmbajtje bori apo spërkasni gjethet me të vetëm kur të jeni të sigurt për mungesën e tij.

Simptoma te mungeses se borit (B) ne agrume.