Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës ose teprices se kalciumit dhe magnezit.

 

Kalciumi dhe magnezi janë elementë të domosdoshëm për aktivitetin normal të bimëve. Funksionet e tyre në bimë janë të shumëllojshme dhe influencojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen dhe prodhimin e bimëve të kultivuara.

Roli i kalciumit në bimë. Kalciumi është element i palëvizshëm në bimë. Ai shërben si komponent në ndërtimin e mureve qelizorë. Pjesa më e madhe e çrregullimeve që lidhen me mungesën e kalciumit në bimë vijnë jo për shkak të pamjaftueshmërisë së tij në tokë, por për shkak të kushteve të pafavorshme të rritjes. Bimët që rriten me shpejtësi, në kushtet e temperaturave të larta janë ato më të rrezikuarat. Të tjerë faktorë që mund të favorizojnë stimulojnë mungesat e kalciumit në bimë janë përmbajtja e lartë e kripërave në tokë, përdorim i dozave të larta të plehrave potasikë dhe amoniakal, si edhe dëmtimet e sistemit rrënjor për shkak të sëmundjeve, ose insekteve.

Roli i magnezit në bimë. Magnezi është element i lëvizshëm në bimë. Ai është pjesë përbërëse e molekulës së klorofilës. Mungesat e magnezit janë më të zakonshme në tokat me teksturë të ashpër dhe sidomos në toka acide, të lehta dhe ranore të zonave me shumë reshje. Mungesa e magnezit mund të nxitet nga përdorimi i dozave të larta të plehrave potasikë. Simptomat shfaqen më shpesh gjatë motit të ftohtë ose në tokat e rënda e të lagështa, kur rrënjët e bimëve janë më pak aktive.

Simptomat e mungesës së kalciumit (Ca) dhe magnezit (Mg).   Simptomat e mungesës së kalciumit shihen rrallë tek agrumet, por mungesa e magnezit mund të shfaqet në tokat ranore që shpëlahen me lehtësi.

Mungesa e magnezit tek agrumet shfaqet me një klorozë (zverdhje) shumë të veçantë në majën e gjetheve të vjetra. Zverdhja fillon pranë anëve të gjetheve  dhe shkon drejt majës, duke lënë një trekëndësh jeshil në bazën e gjethes Gjethet e prekura rrëzohen para kohe në fund të verës apo në vjeshtë. Rënia e gjetheve mund të jetë e rëndë kur bima ka ngarkesë të lartë me fruta. Mungesa e magnezit influencon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e intensitetit të fotosintezës dhe të sasisë së asimilateve të krijuara në bimë. Për këtë arsye, nëse mungesa e tij nuk korrigjohet, do të shoqërohet shpejt me dobësimin gradual të bimëve.

Simptomat e mungeses se magnezit (Mg) ne gjethet e mandarines.

Simptomat e tepricës së kalciumit dhe magnezit. Teprica e kalciumit krijon probleme në asimilim e potasit dhe të magnezit. Ndërkohë, bimët tolerojnë përqendrime të larta magnezi, ndonëse prishja e raporteve normale të tij me kalciumin dhe potasin mund të shkaktojë probleme të mungesës së këtyre të fundit.

Mënyra e korrigjimit të çrregullimeve për shkak të mungesës kalciumit dhe magnezit.

Mungesa e kalciumit dhe magnezit duhet të kompensohet nëpërmjet plehërimeve me plehra që përmbajnë kalcium. Mënyra  më e mirë është  shpërndarja gjatë vegjetacionit nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika.

Në korrigjimin e mungesave të kalciumit mund të përdoren edhe trajtimet gjethore me nitrat kalciumi (1kg/100 L ujë). Një tjetër masë lehtësuese është zvogëlimi i dozave të plehrave potasikë dhe amoniakalë, si edhe gëlqerizimi i tokës në rastet kur pH i tyre është shumë acid.

Në korrigjimin e mungesave të magnezit mund të përdoren gjithashtu trajtimet gjethore me sulfat magnezi (2 kg/100 L ujë), nitrat magnezi (1 kg/100 l ujë) ose përzierje industriale mikroelementesh që përmbajnë sasi të mëdha magnezi, në dozat e rekomanduara nga prodhuesi. Në rastet kur mungesa të kombinuara të kalciumit dhe magnezit mund të përdoren për trajtime gjethore përzierje të formuara nga tretja e 1 kg nitrat kalciumi dhe 1 kg nitrat magnezi për 100 litra ujë.

Trajtimet gjethore për korrigjimin e mungesës së kalciumit dhe magnezit duhet të bëhen pasi gjethet kanë arritur 2/3 e madhësisë së tyre dhe mund të përsëriten disa herë, deri në eliminimin e plotë të simptomave të mungesës.