Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës ose tepricës së potasit.

 

Roli i potasit në bimë. Potasi është element i lëvizshëm në bimë. Në kushtet e pamjaftueshmërisë në tokë, ai shpërngulet nga gjethet e vjetra tek më të rejat. Potasi shërben si katalizator dhe transportues i joneve. Mungesa e potasit ndikon në qarkullimin e ujit për shkak se ndikon në turgorin qelizor dhe në funksionimin e gojzave të gjetheve. Në kushtet e mungesës së potasit bimët janë të predispozuara të vyshken. Megjithëse për shkak të mungesës së potasit rritja e bimëve mund të mos reduktohet seriozisht, prodhimi dhe cilësia e frutave shpesh ulen ndjeshëm.

 

Simptomat e mungesës së potasit,  ndryshojnë në varësi të llojit të agrumeve. Shpesh ato nuk janë të lehta për tu dalluar dhe mund të ngatërrohen me probleme të tjera. Simptomat përfshijnë rritje më të ngadalshme të pemës, gjethe të vogla dhe rrëzim masiv të tyre, shpesh e paraprirë nga zverdhja e gjetheve apo bronzimi i tyre. Mungesa e potasit shoqërohet gjithashtu nga tharje e majës së degëzave dhe pakësim i numrit të luleve. Vonë në verë trajtat e zverdhjes së gjetheve janë të parregullta dhe në formë njollash, që fillojnë pranë gjysmës së gjethes nga maja. Zverdhja më vonë bëhet e bronztë dhe me konture më të çrregullta. Frutat janë të vegjël; lëkura është e hollë, e lëmuar, e prirur të ngjyroset më herët dhe çahet lehtësisht. Nga ana tjetër, rrudhosjet e lëkurës janë të shpeshta.

Mungesat e lehta të potasit nuk ndikojnë në prodhim, megjithëse frutat mund të jenë më të vegjël. Ndërkohë, mungesa e theksuar e tij redukton ndjeshëm prodhimin duke shkaktuar rrëzim masiv të luleve dhe të frutave.

 

Simptomat e tepricës së potasit. Teprica e potasit vonon pjekjen dhe i bën fruta e portokallit të trashë, të mëdhenj, me më shumë aciditet dhe më pak të lëngshëm. Lëkura e tyre trashet dhe rrudhoset si dhe rritet intensiteti i ngjyrës së gjelbër. Ndërkohë, teprica e potasit nuk e prek cilësinë e limonëve, por mund të theksojë mungesën e magnezit.

Potasi i shkëmbyeshëm në tokë është forma më e disponueshme për bimët. Ai riplotësohet me ngadalë nga rezervat tokësore. Në përgjithësi, tokat ranore kanë më pak potas krahasuar me tokat e rënda. Pjesa më e madhe e potasit gjendet pranë sipërfaqes. Thatësira mund të pakësojnë tërheqjen e potasit nga sipërfaqja e thatë e tokës, duke çuar në mungesë së përkohshme të këtij elementi për bimët.

 

Mënyra e korrigjimit të çrregullimeve për shkak të mungesës ose tepricës së potasit. Mungesa e potasit mund të korrigjohet duke përdorur klorur potasi, sulfat potasi, ose plehra të kombinuar. Kloruri i potasit është më i lirë sesa sulfati i potasit dhe mund të përdoret në të gjitha situatat përveç atyre ku kripëzimi përbën një problem. Për të korrigjuar mungesat e rëndë të potasit, shpërndani në një aplikim të vetëm 1-2 kg K për pemë. Kjo sjell përmirësimin më të shpejtë të mundshëm. Duke qenë se potasi nuk shpëlahet lehtësisht nga pjesa më e madhe e tokave, efekti do të zgjasë për disa sezone me radhë. Kjo mënyrë shpërndarjeje ka kosto më të lirë sesa aplikimi i dozave më të vogla të përvitshme.

Përmbajtje e rekomanduar e potasit në tokë është 12-15 ppm (K). Për të rritur përmbajtjen e fosforit në tokë me 5 ppm, nevojiten rreth 6–125 kg/ha sulfat potasi në tokat ranore, 250-350 kg/ha sulfat potasi në toka argjilo-ranore dhe 500 kg/ha në tokat argjilo-lymore.

Mënyra më e zakonshme për shpërndarjen e plehrave potasikë është në formën e brezave, në brazda të hapura në thellësi 15-20 cm. Për të shmangur dëmtimet e shpeshta të sistemit rrënjor, për shkak të hapjes së brazdave për plehërim, shpërndani njëherësh të gjithë sasinë e plehrave fosforikë që nevojitet për 3-4 vjet.

Në toka të lehta dhe në rast se ujitja realizohet me anë të sistemeve të ujitje me pika, plehrat mund të shpërndahen edhe në sipërfaqe, përgjatë tubit të ujitjes, për të mundësuar tretjen dhe depërtimin gradual në tokë. Gjithsesi, mënyra më e mirë e shpërndarjes së plehrave fosforikë është bashkë me ujin, nëpërmjet sistemeve të ujitjes me pika. Në këtë rast duhet përdorur plehra potasikë me tretshmëri të lartë, sic është kloruri i potasit (KCl), nitrati i potasit (KNO3), ose plehra komplekse me tretshmëri të lartë.