Nënshartesat kryesore të agrumeve.

 

Nënshartesat tradicionale të agrumeve janë dy; nerënxa (Citrus aurantium L) dhe trigjethëshi  (Poncirus trifoliata Raff.).  Vitet e fundit kanë hyrë në treg edhe specie të tjera nënshartesash.

 

Trigjethëshi (Poncirus Trifogliata Raf).

Është nënshartesa më e vjetër në botë me origjinë nga Kina dhe Japonia dhe konsiderohet nënshartesa bazë për zonat me temperaturë ekstreme. Duron deri – 25°C dhe është nënshartesa më e mirë për mandarinën, limonin Meyer dhe portokallin Washington navel. Është e qëndrueshme ndaj tepricës së lagështisë në tokë, por kërkon toka të pasura me humus. Nuk shkon në toka gëlqerore, të thata, të lehta ranore, të cekta gurishtore dhe nuk preferon dhe nuk shkon mirë në zonat e ngrohta. Është e qëndrueshme ndaj tristecies, malsekos, gomozave, por preket nga Exocortita e cila shkakton tharje të parakohshme.

Trigjethëshi ka kurorë globoze të ngjeshur, me gjemba të mëdhenj dhe gjethe treshe që rrëzohen në fund të periudhës vegjetative. Fruti ka formë limoni shumë të rrudhur, lëkurë të hollë, të lidhur fort me tulin dhe ka mesatarisht 26 fara vitale poliembrionale. Pjekja e frutit fillon në Nëntor. Farat nxirren me vështirësi nga fruti, shtrydhen dhe shpërlahen disa herë me ujë të rrjedhshëm dhe në fund shpërlahen po disa herë me solucion 1% sode, përpara se të mbillen.

Trigjethëshi i jep mbishartesës rritje të kufizuar. Fidani i prodhuar mbi këtë nënshartesë arrin standardin pas 2.5 vitesh. Trigjethëshi ndikon pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së frutit, madhësinë, % e  lëngut, hollimin e lëvores, përshpejtimin e hyrjes në prodhim, hershmërinë e pjekjes, etj.

 

Nerënxa (Citrus aurantium L.).

 Nerënxa shfrytëzohet si nënshartesë prej një kohe shumë të gjatë. Fruti i saj është i rrumbullakët, i shtypur në pole dhe me ngjyrë portokalli të thellë. Lëkura është e ashpër, e trashë, sfungjeroze dhe shqitet me vështirësi. Trashësia e lëkurës shkon deri 7.5 mm dhe pesha e frutit në 150 – 160 gr. Tuli përbëhet nga 8-10 thela të mëdhenj të mbushur me lëng të hidhur.

Ka rreth 30 fara vitale poliembrionale. Piqet në periudhën Dhjetor-Janar, qëndron gjatë në bimë dhe në këtë mënyrë ndikon pozitivisht në rritjen e vitalitetit të farës.

Si nënshartesë përdoret në zonën e ngrohtë të vendit (Sarandë, Vlorë, Fier). Është e qëndrueshme ndaj gomozës, kalbëzimit dhe psorozës, por preket nga tristecia. Fidanët e prodhuar mbi këtë nënshartesë arrijnë standardin pas 2.5 vitesh

 

Rubidoxi (trigjethëshi lule vogël).

Është klon vegjetativ i  trigjethëshit lulevogël, me origjinë nga Kalifornia, por shumë i përhapur në Mesdhe. Është nënshartesë me rritje të ngadalshme, me gjemba në çdo nyje dhe gjethe treshe që rrëzohen në dimër.

Fruti është i ngjashëm me atë trigjethëshit, piqet më herët dhe ka rreth 35 fara vitale. Ka afinitet të mirë me kultivarët e mandarinës përveç kultivarëve Klementina dhe Avana. Bimët e shartuara mbi Rubidox rriten ngadalë, formojnë kurorë të vogël dhe japin fruta cilësorë që piqen herët. Janë të qëndrueshme ndaj temperaturave të ulëta dhe mund të mbillen edhe në zona ekstreme (në veri perëndim dhe qendrën e vendit, por gjithmonë në mikrozona të mbrojtura nga ndikimi i drejtpërdrejtë i erërave të ftohta).

Është nënshartesë që shkon mirë me të gjithë agrumet që mbillen në vendin tonë. Është e qëndrueshme ndaj lagështirës, nematodës Tylenculus, tristecies, psorozës, ksilopsorozës dhe pak e qëndrueshme ndaj kalbëzimit. Nuk shkon në terrene gëlqerore dhe toka të kripura

 

Citrange troyer

Është nënshartesë hibride e krijuar nga kryqëzimi Ëashington Navel x Trigjethësh. Bima ka rritje të fuqishme, gjemba të vegjël dhe gjethe treshe të cilat nuk rrëzohen për gati 3 vjet. Është rezistente ndaj gomozës, nematodave, tristecies, psorozës dhe ksilopsorozës, por është e ndjeshme ndaj gëlqeres dhe exokortitës.

Fruti është i ngjashëm me portokallin por më i vegjël, përmban mesatarisht 35 fara, që  japin fidana uniformë. Është nënshartesë e përshtatshme për të gjithë kultivarët e mandarinës përveç cv. “Tangelo Mapo” ku shfaq probleme mospërputhshmërie.

Kultivarët mbi Citrage rriten shpejt, hyjnë herët në prodhim dhe japin prodhim me cilësi të mirë.

 

Swingle Citrumelo.

Është hibrid i fituar prej kryqëzimit Citrus Paradisa Duncana x Trigjethësh. Bima ka rritje të fuqishme, gjethe treshe që nuk rrëzohen, me përmasa më të mëdha se citranget Tryer dhe Karrizo.

Frutat janë me ngjyrë të ngjashme me grejpfrutin, por më të vogla. Farat janë plotësisht nuclearë me origjinë nga bërthama vegjetative. Filizat që rezultojnë pas mbjelljes së farës rriten shpejt dhe në mënyrë uniforme.

Nuk ka përputhshmëri të mirë me të gjithë kultivarët e mandarinës. Kombinacioni me mbishartesën ka rritje të fuqishme dhe jep fruta  të ngjashëm me kombinimet mbi Citrange.

Është i ndjeshëm ndaj kalbëzimit, tolerant ndaj Tristecies dhe nematodave. Duron përqendrimin e lartë të kriprave dhe temperaturat e ulta sikurse nerënxa. Në toka bazike me Ph mbi 8 shfaq shenja të klorozës në gjethe.

 

Cleopatra (Citrus Resni).

Është nënshartesë me origjinë nga India. Bima karakterizohet nga zhvillim i kufizuar, jep fruta të vegjël të lëmuar me shumë fruta poliembrionalë. Farat japin filiza uniformë dhe kjo për faktin sepse  kanë origjinë nucleare. Veçori e kësaj nënshartese është shfaqja në farishte e shumë filizave albinë (të bardhë) të cilët mund të kufizohen nëpërmjet trajtimeve me sulfat ortosilinolik.

Bimët e shartuara mbi nënshartesë Cleopatra futen vonë në prodhim dhe japin pak fruta. Sistemi rrënjor është i qëndrueshëm ndaj përqendrimit të kripërave dhe malsekos, por i ndjeshëm ndaj gomozës dhe nematodave.

Ka afinitet të mirë me të gjithë kultivarët e mandarinës dhe krahasimisht me nerënxën përmirëson shumë cilësitë e frutit. Këshillohet për krijimin e blloqeve të mandarinës me dendësi të madhe bimësh për faktin se sjell bimë me kurorë të kufizuar.