physiological-burnd-heads kast-deform-frutave tomato-seedling frantoio fungi-pseudoperonospora-cubensis3 mandarin-unshiu enetta_del_canada insect-liriomyza-huidobrensis golden-delicious-3 ujitja
fotografite

Merimangat (Këpushat) e bimëve.

Këpushat ose merimangat e bimëve i përkasin rendit Acarina dhe familjes Tetranychidae. Në ndryshim nga insektet që kane tre palë këmbë merimangat janë me katër palë këmbë. Familja Tetranychidae përfshin shumë specie dëmtuese të bimëve, por këpusha e zakonshme e serave (Tetranychus urticae) është specia më kryesore në të gjithë botën. Edhe në serrat tona merimangat llogariten ndër dëmtuesit më kryesorë. Këpusha e zakonshme (Tetranychus urticae), për shkak të kapacitetit të madh riprodhues është në gjendje të shkatërrojnë bimët brenda një kohe shumë të shkurtër. Në raste të veçanta mund të shkaktojë dëme edhe këpusha e kuqe (Tetranychus cinnabarinus).

Tetranychus urticae.

Merimanga kalon 5 stade zhvillimi gjatë ciklit të saj jetësor; veza, larva, nimfa e moshës së parë (protonimfa), nimfa e moshës së dyte (deutonimfa) dhe merimanga e rritur. Femra e rritur e Tetranychus urticae është me formë ovale në të rrumbullakët. Ngjyra e trupit mund të variojë nga portokalli deri në të gjelbër të errët ose e kuqe, bile nganjëherë plotësisht e zezë. Mashkulli është më i vogël se femra. Shpesh ngjyra e merimangave ndryshon edhe sipas bimëve që prek. Për shembull, ngjyra e këpushës tek kastraveci është e verdhë në kafe ndërsa tek domatja ka ngjyrë të kuqe në kafe. Cikli jetësor i merimangave dhe për rrjedhojë intensiteti i shtimit të tyre janë të kushtëzuara nga temperatura e mjedisit (Tabela 1) Temperatura më e përshtatshme për shumëzimin e merimangave është 30 0C, në të cilën cikli jetësor i tyre zgjat vetëm 7,3 ditë. Temperaturat nën 12 0C dhe mbi 40 0C janë të disfavorshme për zhvillimin e merimangave. Popullata e këpushës së zakonshme përbëhet nga rreth 75% femra dhe 25% meshkuj (3:1).

Tabela 1. Cikli i zhvillimit (në ditë) të T.urticae në varësi të temperaturave  të mjedisit.

Temp Veza Larva Protonimfa Deutonimfa Nr. ditëve

për ciklin

vezë-adult

Periudha

Pva*

Nr. ditëve për ciklin

vezë-vezë

150C 14.3 6.7 5.3 6.6 32.9 3.5 36.4
200C 6.7 2.8 2.3 3.1 14.9 1.7 16.6
300C 2.8 1.3 1.2 1.4 6.7 0.6 7.3

Pva*= periudha nga dalja e insektit të rritur deri në vendosjen e  vezëve

Mënyra e dëmtimit të bimëve. Larvat, limfat si dhe këpusha e rritur shkaktojnë dëme në bimë. Ato ushqehen me lëngjet dhe indet e organeve të gjelbra të bimëve që prek. Këpushat qëndrojnë kryesisht në anën e poshtme të gjetheve ku thithin lëngun qelizor të bimëve. Për pasojë qelizat marrin ngjyrë të verdhë dhe sipër gjetheve duken njolla të vogla me ngjyrë të verdhë të zbardhur. Me shtimin e dëmit gjethet marrin ngjyrë komplet të verdhë dhe më vonë thahen e për pasojë ndodh edhe ndërprerja e procesit të fotosintezës. Kur 30% e gjetheve janë të prekura atëhere ka dëme të ndjeshme edhe në sasinë dhe cilësinë e prodhimit.

Këpusha e zakonshme mund të infektojë bimët në disa mënyra. Kur bimët janë shumë të prekura, këpushat bien në tokë ose lëvizin nga një bimë në tjetrën nëpërmjet telave ose fijeve të sistemit mbështetës. Ato mund të shpërndahen edhe nëpërmjet rrobave të punonjësve qe lëvizin nëpër sera. Edhe pse kanë disa mënyra për tu përhapur, merimangat fillimisht i gjejmë të lokalizuara në një kënd ose sipërfaqe të vogël të serës, në pjesët me klimë më të ngrohtë e më të thatë brenda serës, sepse aty janë edhe kushtet më të përshtatshme për zhvillim e riprodhim.

Masat për parandalimin e infeksioneve nga merimangat. Merimangat përhapen me shpejtësi në bimët e stresuara. Për këë arsye, ujisni dhe plehëroni bimët në mënyrë të mjaftueshme, për të parandaluar dëmtimet e rënda nga merimangat. Në shumë raste, infeksionet e rënda dhe të menjëhershme nga merimangat mund të stimulohen nga pluhurat e depozituara mbi gjethet e bimëve. Për këtë arsye, merrni masa për parandalimin  e ndotjes së bimëve nga pluhuri. Popullatat e merimangave mund të zvogëlohen edhe duke i spërkatur bimët me ujë, sidomos në pjesën e poshtme të gjetheve. Këtë teknikë mund ta përsërisni sa herë që është e nevojshme.

Kontrolli kimik i merimangave. Në pemët frutore gjetherënëse përdorimi i vajrave mineralë dhe sapunëve insekticidë mund të ndihmojë në zvogëlimin e popullatave dimëruese të merimangave. Gjatë vegjetacionit përdorimi i alteruar i insekticideve mund të japë rezultate të mira në kontrollin e merimangave. Midis insekticideve më të përshtatshëm mund të përmenden; dicofoli, malathioni,abamectina, oxamil (nëpërmjet shpërndarjes në tokë), etj.

Kontrolli biologjik i merimangave. Përpjekjet e para për kontrollin biologjik të këpushës së zakonshme janë bërë në mesin e viteve gjashtëdhjetë nëpërmjet këpushës predatore Phytoseiulus persimilis. Aktualisht këpusha predatore përdoret gjerësisht në shumë vende të botës për frenuar shumimin masiv të popullatave të këpushës së zakonshme të serave (Tetranychus urticae, Koch) në mjediset e mbrojtura.  Këpusha predatore (Phytoseiulus persimilis, Athios-Henriot) përdoret si predator për luftimin e këpushës së zakonshme të serrave në kulturat perimore si dhe në fushë të hapur në luleshtrydhe, pambuk, perime dhe në bimët zbukuruese.

Phytoseiulus persimilis

Vezët e këpushës predatore vendosen në afërsi të burimit të ushqimit (merimangat), në gjethe. Larvat e predatorit nuk ushqehen, nimfat dhe insektet e rritu konsumojnë si vezët ashtu edhe larvat dhe insektet e rritur të merimangës së serrave. Këpusha predatore (Phytoseiulus persimilis) është pothuajse plotësisht e varur nga këpusha e zakonshme (Tetranychus urticae). Një femër e predatorit mund të vendosë mbi 5 vezë në ditë në kushte klimatike të favorshme dhe mbi 60 vezë gjithsej gjatë gjithë ciklit të saj jetësor. Zgjatja e periudhës së zhvillimit varet shumë nga temperatura. Në 15 0C zhvillimi nga veza në vezë zgjat rreth 25 ditë, por në 30 0C ulet në 5 ditë. Phytoseiulus persimilis, duke pasur një shumim të shpejtë është shumë efektiv për luftimin e këpushës së zakonshme të serrave (Tetranychs urticae). Riprodhimi i saj është shumë më i shpejtë se i Tetranychs urticae dhe nimfat qëndrojnë në gjethet në të cilat kanë çelur. Insektet e rritur lëvizin nga njëra bimë në tjetrën nëpërmjet kontaktit fizik me bimët e afërta dhe nëpërmjet fijeve të rrjetës së merimangës. Një predator femër konsumon 5 adulte ose 20 larva të reja të merimangës (T.urticae) në ditë. Në kushte të përshtatshme (temp.15-250C) dhe lagështi relative të ajrit 60-70% këpusha predatore mund të kontrollojë tërësisht infeksionin nga merimanga e zakonshme e serave.

Në format e tij komerciale predatori tregëtohet dhe shpërndahet në formën e shisheve plastike  të mbushura me vermikulit,  i cili shërben si substrat për konservimin e merimangave predatore. Në serra lëshohet 1 predator për 15-25 këpusha të Tetranychus urtice ose 5 këpusha predatore për 1 m2. Phytoseiulus dëmtohet nga fungicidet me bazë benzimidazole dhe mbetjet e insekticideve. Për këtë arsye përdorimi i këtyre preparateve mund të bëhet vetëm nëse është i domosdoshëm.

nuk ka komente.