Prodhimi i fidanëve të shartuar të agrumeve.

 

Koha e shartimit.

  •  Shartimi i agrumeve bëhet  në vjeshtë dhe në pranverë.  Në këtë kohë, filizat e nënshartesës duhet të kenë trashësinë 7-10 mm (sa trashësia e një lapsi) dhe rritje uniforme. 2-3 javë përpara shartimit bëhet  pastrim i filizit në lartësinë deri 15 cm nga toka.
  • Kur filizat përgatiten në mënyrë tradicionale, shartimi bëhet në muajin Prill – Maj, kurse në rastet e prodhimit në serra, shartimet bëhen kryesisht në muajin   Gusht – Shtator, ndonëse ekziston mundësia që ato të bëhen thuajse në çdo periudhë të vitit. 
  • Përpara shartimit, nënshartesat ujiten disa herë, në mënyrë të njëpasnjëshme, në  mënyrë që të sigurohet turgimi  (ngopja e plotë me ujë) i qelizave dhe lëvorja të shqitet me lehtësi. E njëjta vëmendje i kushtohet edhe mbishartesave. Ato punohen, plehërohen dh trajtohen sistematikisht për mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Dy –tre  javë përpara fillimit të shartimit bëhen ujitje  të vazhdueshme dhe të bollshme për të ruajtur gjelbërimin dhe favorizuar ndarjen me lehtësi të lëkurës gjatë nxjerrjes së sythit.

 

Përzgjedhja dhe përkujdesja për kalemat e mbishartesave.

  •  Bimët mëmë të certifikuara mbahen në tenda të hijezuara në vazo të mëdha plastike me volum 0.15 m3 ose 60 – 80 kg.
  • Rreth 10 ditë përpara shartimit, prej tyre merren kalemat për shartim, të cilëve u priten gjethet, majat e papjekura dhe pak nga pjesa e bazës së lastarit.
  • Material i përgatitur në këtë mënyrë futet në qeska të ngushta polietileni së bashku me një etiketë ku shkruhet emri i kultivarit dhe data e marrjes. Qeskave u mbyllet gryka me lidhëse llastiku dhe vendosen në frigorifer në temperaturë 7°C.
  • Pas 10 ditësh materialet nxirren nga qeskat, u largohen bishtat e rrëzuar, copat e infektuara eliminohen, kurse të tjerat zhyten në tretësira fungicidesh dhe pasi thahen në hije, rifuten përsëri në qeska polietileni dhe rivendosen në frigoriferë, ku ruhen për 1 vit në temperaturë deri 7 °C.

 

Teknikat e shartimit të agrumeve.

 Një nga mënyrat më të lehta dhe më të aplikuara për shartimin e agrumeve është shartimi në formën e germës “T”. Procedura e kryerjes shartimit është si më poshtë:

  • Mbi nënshartesë, në lartësinë  mbi 12 cm nga toka përzgjidhet një hapësirë e pastër për të bërë shartimin në trajtë  e germës T. Operacioni fillon duke bërë së pari prerjen e kokës së T. Më pas bëhet prerja gjatësore, jo më shumë se 3 cm. Për të realizuar operacionin filizi  mbahet  me dorën e majtë, ndërsa  prerjen me dorën e djathtë me brisk të mprehur mire dhe me kujdes që të mos dëmtohet ksilema.
  • Pas kësaj puna vazhdon me nxjerrjen e sythit nga kalemat e përzgjedhur për mbishartesë. Kalemi mbahet me dorën e majtë, me majën në të kundërt të gishtit tregues dhe i mbështetur mirë mbi të dhe gishtin e madh.
  • Me briskun e shartimit 1.5 cm poshtë bazës së sythit bëjmë prerjen duke e tërhequr briskun pak më thellë pikërisht në vendin ku sythi  vendoset mbi kalem  duke marrë së bashku me të edhe pak dru. Operacioni përfundon 1.5 cm në anën tjetër të sythit.
  • Pas kësaj me anën e pasme të briskut hapen dy anët e T, futet sythi me kujdes dhe puthiten duke mbyllur mirë çarjen e hapur. Lidhja behet me kujdes me rrafje lini ose plastike, duke filluar nga poshtë  sythit të shartuar,  lart në trajtë spirale dhe duke lënë të lirë vetëm sythin. Menjëherë pas shartimit behet prerja e majës së nënshartesës.
  • Pas 2 -3 javësh bëhet verifikimi i zënieve. Në rastet kur përdorim rrafje lini doemos bëhet prerja e saj me brisk dhe lirimi i pjesës se izoluar me rrafje.  Kur përdoren shirita plastikë ky efekt realizohet nën veprimin e kallusit dhe rritjes së sythit.
  • Pas verifikimit të zënieve bëhet përthyerja e nënshartesës dhe më vonë, me fillimin e vegjetacionit te sythit të ri, bëhet prerja 10 cm mbi pikën e shartimit. Cepi prej 10 cm pastrohet vazhdimisht nga filizat e egër, ndërsa filizi i ri fillimisht shumë  delikat, lidhet  pas tij në trajtë fjongo ose të numrit 8–të.

 

Paraqitje skematike e procedures se shartimit ne agrume.

 

Shërbimet pas shartimit.

Gjatë kohës së qëndrimit të filizave të shartuar në fushë ose serrat e aklimatizimit i kushtohet vëmendje maksimale mbrojtjes së bimëve nga semundjet dhe dëmtuesit. Shërbime të tjera të shumë të rëndësishme janë gjithashtu:

  •  Pastrimi i vazhdueshëm i nënshartesës nga gjembat dhe lastarët e egër.
  • Ujitjet e vazhdueshme dhe pastrimi i barërave të këqija.
  • Plehërimet gjethore me plehra kristalorë,  2 herë në muaj në dozë 150 gr/ 100 litra ujë dhe plehërimet  e zakonshme me plehra kimikë kompleks, deri në muajin Gusht (3-5 gr/pleh fidan).  
  • Vendosja e kallamave 1.2 ml të gjatë, drejtimi, pastrimi dhe lidhja e filizave të  rinj mbi kallama, jo më pak se tre herë.
  • Pastrimi total në lartësinë  0 -50 cm dhe formatimi i trungut të ri të fidanit.
  • Përzgjedhja dhe orientimi i lastarëve që do të formojnë degët e para skeletore të bimëve të reja.
  • Standardi i fidanit të mandarinës parashikon një gjatësi 1.5 m, 3 – 4 lastar mbi 30 cm dhe trashësi të nënshartesës 2.5 – 3 cm.  Fidanët e prodhuar në mënyrë tradicionale i arrijnë këta tregues  për 2.5 -2.8 muaj, kurse fidanët e prodhuar në serra me parametra klimatikë të kontrolluar për  1.5 – 1.8 vjet.

Prodhimi dhe përgatitja për shartim e nënshartesave të agrumeve.

 

Fidanishtja frutore është vendi ku përgatiten  nënshartesa dhe fidanët e agrumeve apo edhe drufrutorëve të tjerë. Nënshartesat e agrumeve   mund të prodhohet në mënyra të ndryshme; nëpërmjet shumëzimit me farë, me copa të gjelbra vegjetative, ose sytha dhe  meristema në laboratorët e prodhimit in vitro. Farat dhe copat vegjetative për prodhimin e nënshartesave të agrumeve sigurohet nga bimët ‘mëmë’ të nënshartesave, të cilat janë  pjesë e fidanishtes frutore.

Deri përpara disa vitesh dy kanë qenë nënshartesat që shfrytëzoheshin në prodhimin e fidanëve të agrumeve; trigjethëshi (P. Trifoliata) dhe nerënxa (C. Aurantium). Dëmtimet masive nga  tristecia në shekullin e kaluar vunë në provë shkencëtarët e vëndeve të zhvilluara të botës. Si rezultat, u seleksionuar dhe  krijuan kombinacione nënshartesash me cilësi të larta, tolerante ndaj tristecies dhe të pastër nga virusit, viroidet, fitoplazmat dhe sëmundje të tjera të ngjashëm me ta.

Agrumet ndryshojnë nga speciet e tjera të drurfrutorëve për sa i takon riprodhimit të tipareve të nënshartesave të prodhuara me farë. Farat e pjesës më të madhe të nënshartesave në qarkullim janë poliembrionale.  Teknikisht, prodhimi i nënshartesës nga farat me origjinë nukleare vegjetative sjell rezultate më të mira nga ato me origjinë gjenerative apo të  formuara në një proces  normal zigotik. Për këtë arsye, pas mbjelljes dhe mbirjes së  farës në farishte,  kur filizat janë në fazën e çiftit të dytë të gjetheve të vërteta bëhet eliminimi i të gjitha filizave që rezultojnë nga farëra nukleare gjenerative. Këto të fundit dallohen lehtësisht sepse kanë rritje më të përmbajtur dhe jo uniforme, krahasuar me filizat që rrjedhin nga farërat nukleare vegjetative.

 

Karakteristikat kryesore të nënshartesave të agrumeve.

 Nënshartesat e agrumeve kanë karakteristika të ndryshme për sa i takon kohës së hyrjes në prodhim (formimit të frutave dhe farave) dhe sasisë së farës që prodhojnë. Trifoliata dhe rubidoxi hyjnë në prodhim në vitin e katërt, citraget në vitin e pestë, swingle citrumelo në vitin e gjashtë dhe kleopatra e nerënxa në vitin e nëntë.

Numrin më të madh të farave në frut e ka rubidoxi, i ndjekur nga trifoliata, kleopatra  dhe nerënxa.  Citraget dhe Swingle citrumelo karakterizohen nga një numër më i vogël farash në frut. Ndërkohë, për shkak të dallimeve  në madhësinë e farave trifoliata, klepoatra dhe rubodoxi kanë numrin më të vogël të farave për njësi të peshës.

Tabela 1.  Numri farave në një frut dhe për 1 kg fruta.

Emërtimi i nënshartesës Nerënxë Trifoliatë Citrage  Carrizio Kleopatra Rubodox Citrage  Troyer Swingle   citrumelo
Nr. mesat. i farave/ frut 21 26 11 22 34 14 15
Nr. farave vitale për 1 kg >4000 >3500 >4000 >3500 >3500 >4000 >4000

 

Nxjerrja dhe trajtimi i farave të nënshartesave.

Bimët ‘mëmë’ të aprobuara dhe vlerësuara jo më pak se dy  here,  në periudhën  rritje intensive e frutave – pjekje biologjike, vilen kur frutat janë pjekur plotësisht.  Është e këshillueshme që edhe në  momentin e vjeljes të bëhen eliminime për të shmangur frutat e  rrëzuar, të vegjël dhe të papjekur plotësisht.  Frutat që plotësojnë standardin futen në arka plastike ose druri dhe dërgohen në ambientet e fidanishtes për tu trajtuar për nxjerrjen e farës.

Fara nxirret me dorë.  Për nxjerrjen e farës nga frutat e magazinuar veprohet në këtë mënyrë:

  • Frutat e përzgjedhur merren një nga një dhe çahen me thikë për së gjëri
  • Me majën e thikës ose me një pincetë të zakonshme nxirren farat nga tuli.
  • Farat vendosen mbi një ‘garzë pambuku’ në grumbull të vegjël aq sa mund të  marrim pa sforcim dhe manovrojmë me anën e majave të gishtave.
  • Në këtë moment garza mblidhet shuk në një cep të saj, shtrëngohet mirë, vendoset në çezmë me ujë të rrjedhshëm dhe shtypet fortë  e shpërlahet me të dy duart deri sa  të  ngeci në farat që ndodhen brenda saj.  Kjo është shenja dalluese që farat janë pastruar plotësisht prej tulit.
  • Gjithë sasia e farës hidhen mbi një  garzë të thatë, të pastër, të lidhur mirë, për tu trajtuar në të ngrohtë. Procesi realizohet duke e futur të gjithë masën e grumbulluar në  ujë të ngrohtë,  50°C, për 10 min.
  • Më pas farat vendoset për tu tharë në hije, mbi çarçaf pëlhure në shtresa deri 1 cm trashësi. Pas tharjes bëhet trajtimi i farave me preparate për mbrojtjen nga sëmundjet dhe ambalazhohen  në qeska polietileni  së bashku me një letër të lagur,  dhe të mbyllur vendosen në frigoriferë ku mbahen në temperaturë 7°C për 4 muaj deri 1 vit.
  • Fara e trajtuar dhe e ruajtur në këtë mënyrë mund të përdoret për mbjellje dhe mund të mbillet në çdo kohë.

 

Mbjellja e farave të nënshartesave.

 Mbjellja e farave të nënshartesave mund të bëhet në shtretër tradicionalë  ½ të nxehtë, ose në serra të zakonshme për prodhimin e fidanëve.

Pas përgatitjes së shtratit të mbjelljes, fara e cila paraprakisht është mbajtur në ujë të ëmbël për 12 orë, shpërndahet në rreshta 5 cm larg njëri tjetrit, në thellësi 2 cm. Pas mbjelljes fara mbulohet me një shtresë të hollë dherishteje të përgatitur mirë, ose vermikulit dhe ujitet më ujë të bollshëm. Mbirja e farës zgjat 45 – 60 ditë. Gjatë kësaj kohe duhet të përkujdesemi për ujitjen e vazhdueshme, pastrimin e barërave të këqia dhe trajtimet kimike kundër sëmundjeve kërpudhore dhe dëmtuesve të bimëve.

 

Trapiantimi i parë i filizave në vazeta ose qeska të vogla plastike.

  • Pas formimit të çiftit të parë –fillimin e shfaqjes së ciftit të dytë të gjetheve të vërtetë (kjo fazë zakonisht përkon me fillimin e muajit Mars), filizat e nënshartesave trapiantohen  në vazeta ose qeska plastike me përmasa  8 x 8 x 10 cm. Substrati për mbushjen e qeskave mund të jetë vermikulit ose dherishte e përgatitur me përzierjen torfë; perlit : pleh organik  (33 : 33 : 34 %).
  • Përpara shkuljes së filizave bëhet një ujitje e bollshme e shtratit me ujë të rrjedhshëm. Filizat shkulen me kujdes, duke përzgjedhur më të mirët. Lidhen në  tufa nga 100 copë dhe banjëzohen në solucione bajgë të freskët lope, ku janë shtuar pesticide.   
  • Mbjellja e filizit bëhet jo shumë thellë, duke e ngjeshur lehtësisht me dherishten përreth tij.  Qeska fillimisht mbushet deri ½ e volumit të saj. Më pas vendoset filizi me kujdes, mbushet pjesa tjetër qeskës, dhe përplaset lehtësisht dy -  tre herë që të lidhet më mirë filizi me dherishten. Pjesa e sipërme e qeskës (rreth 2 cm) lihet e pa mbushur.  
  • Qeskat e trapiantuara vendosen ne serra ose tunele polietileni. Temperaturat mjedisit duhet të ruhet mbi 20 °C, kurse lagështia relative e ajrit deri 85%. Gjatë ditëve me diell, por veçanërisht pas daljes së çiftit te dytë të gjetheve të vërteta tunelet hapen plotësisht, ujiten në mënyrë të rregullt dhe merren masa për trapiantimin e dytë në qeska polietileni më të mëdha.

 

 Trapiantimi i dytë në qeska polietileni ( 25 x 25 x 30 cm).

  • Trapiantimi i dytë i filizave bëhet në qeska plastike 25 x 25 x 30 cm, pasi filizat kanë formuar çiftin e tretë të gjetheve të vërteta (në fillim të Majit). Në këtë rast, substrati është një përzierje e përgatitur me dhe të pastër mezhdash ose kanalesh, pleh organik,  torfë  dhe 5 % rërë lumi ose perlit në raporte 32 : 32 : 32 : 4 %. Mbjellja e filizave bëhet deri në thellësinë që kanë qenë në qeskën e vogël, mbushen me dherishte, ngjishen mirë dhe ujiten bollshëm.
  • Qeskat vendosen në terren të niveluar, të mbuluar me polietilen të zi, nga 6 copë në rresht dhe gjatësi 15 – 20 ml ose 90 – 120 qeska plastike  në  135 – 180 m2. Gjatë gjithë periudhës deri në pranverën e ardhshme bëhen shërbime të vazhdueshme; ujitje, trajtime kimike, stimulime me plehra kimike të kombinuar, pastrime te gjembave dhe filizave deri në lartësinë 15 cm të filizit, pastrime të barërave të këqija, etj.
  • Shartimi behet në periudhën Prill – Maj, me syth të zgjuar në formë T. Materiali për shartim merret në darkë vonë, ose mëngjes herët nga bimë ‘mëmë’ te certifikuara. Materiali ruhet në hije, spërkatet me ujë, ose ruhet në ambalazh të lagur dhe konsumohet brenda ditës. Nëse prodhimi i filizave bëhet në serra, shartimi është i mundur në pjesën më të madhe të vitit, duke përshpejtuar  kohën e përgatitjes së fidanëve me rreth një vit.

Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të tepricës së mikroelementëve.

 

Disa mikroelementë janë të dëmshëm për agrumet kur gjenden me tepricë në tokë. Kjo vlen sidomos për klorin, natriumin, borin dhe manganin.

Agrumet janë të ndjeshëm ndaj përqendrimeve të larta të kripës së gjellës (klorurit të natriumit) që gjendet në tokë apo në ujin e përdorur për ujitje. Toksiciteti nga kripa shkakton kloroza (zverdhje) dhe më pas nekroza (tharje) të gjetheve, duke filluar nga maja e tyre. Simptomat e para  shfaqen në gjethet më të vjetra.  Gjethet e prekura rrëzohen dhe më pas mund të vijë tharja e plotë e bimës.

Simptoma te toksicitetit ne agrumeve per shkak te kripes se gjelles.

Ujitja dhe drenimi janë faktorë të rëndësishëm për të minimizuar rritjen e përqendrimit të kripërave në zonën e rrënjëve. Kripëzimi i pemëtoreve mund të ndodhë kur sipërfaqja e ujërave nëntokësorë me përqindje të lartë kripe ngrihet në drejtim të rrënjëve. Një tjetër shkak është përqendrimi i kripës në zonat e thata midis rreshtave, në rastet e ujitjeve me brazda, ose në formë pikash.

Nivelet e larta të kripës në tokë dëmtojnë strukturën e pemës dhe vështirësojnë furnizimin e tyre me ujë. Kripëzimi i lartë krijon probleme edhe në të ushqyerit e bimëve, sepse kufizon asimilimin e potasit. Korrigjimi i kripëzimit shpesh e rikthen në normalitet të ushqyerin me potas. Nga ana tjetër, plotësimi i nevojave të bimëve për potas në zonat e kripura, duhet të bëhet duke shfrytëzuar për këtë qëllim sulfat potasi, ose nitrat potasi, por jo klorur potasi. Shfrytëzimi i nënshartesave të qëndrueshme ndaj kripëzimit është një tjetër mjet i rëndësishëm në minimizimin e dëmtimit të pemëve nga kripa dhe humbjeve të prodhimit.

 

Toksiciteti nga bori (ashtu si toksiciteti nga kripa) fillon në formën e zverdhjes dhe tharjes së  majës së gjetheve, por zverdhja e majës më pas tenton të marrë trajtën e një mozaiku, duke përparuar në hapësirat ndërvenoze pranë majës së gjetheve. Rrëzimi i gjetheve për shkak të toksicitetit nga borit është i madh, sidomos gjatë pranverës, duke çuar në dobësimin e ndjeshëm të bimëve dhe pakësimin e prodhimit.

Simptoma te toksicitetit ne teprica e borit (B).

Grumbullimi i borit në nivele toksike mund të vijë për shkak të drenimit të pamjaftueshëm apo praktikave të ujitjes që e përqendrojnë borin e tretshëm në tokë në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve. Shpëlarja e tepricave të krijuara me anë të ujitjes dhe përmirësimi i drenimit të tokës janë faktorë të rëndësishëm për korrigjimin e këtij problemi.

Nënshartesat dhe vetë speciet e ndryshme të agrumeve ndryshojnë midis tyre për sa i përket qëndrueshmërisë ndaj helmimit nga bori. Limonët janë specia më e ndjeshme ndaj tepricave të borit, të ndjekur nga mandarinat, qitrot dhe portokajtë. 

Simptomat e helmimit nga mangani janë më të zakonshme në toka acide.  Toksiciteti nga mangani është më i përhapur në tokat e lagështa dhe të akulluara, që nxisin rritjen e përmbajtjes  së manganit të tretshëm. Mungesat e toksicitetit nga mangani ndeshen në pothuajse të gjitha agrumet. Më të zakonshme ato janë në pemët e shartuara mbi trigjethësh (Poncirius trifoliata).

Zverdhja rreth pjesëve të jashtme të gjetheve, sidomos të atyre më të vjetra, është efekti më karakteristik i toksicitetit nga mangani tek limonët. Zverdhja është shumë e ndritshme dhe përshkruhet si “maja e verdhw”. Portokajtë dhe mandarinat e prekura shfaqin njolla kafe të errët me diametër 3-5 mm, të përhapura në të gjithë gjethen.

Simptoma te toksicitetit nga teprica e manganit (Mn).

Për të mos lejuar toksicitetin e bimëve nga tepricat e manganit, merrini masat për të kontrolluar dhe rregulluar aciditetin e tokës. Rregullimi i aciditetit të tokës në një pemëtore është një proces i ngadalshëm. Nëse përdorni 0.5 deri 1 ton gëlqere për hektar për çdo vit, do të duhen deri në 4 vjet që të korrigjohet toksiciteti për shkak të manganit.

Kontrolloni gjithashtu sistemin e kullimit dhe merrni masa për largimin e shpejtë të tepricave të ujit nga parcela.

Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës së mikroelementëve.

 

Në agrume mund të shfaqen mungesa të mikroelementeve të ndryshëm, por më të zakonshme janë mungesat e zingut (Zn) dhe manganit (Mn). Mungesa e këtyre mikroelementeve vërehet si në tokat acide ashtu edhe në toka alkaline.

 

Mungesa e zinkut, e përshkruar si simptoma e “gjethes së vogël”, “gjethes me njolla”, apo “rozetës së gjetheve”, është një nga çrregullimet më të përhapura dhe më dëmprurëse në agrume. Mungesa është më akute (e menjëhershme) në tokat alkaline.

Edhe në fazat më të hershme të saj, mungesa e zinkut e ul prodhimin, dobëson vitalitetin e pemës dhe i bën frutat më të vegjël e me cilësi më të ulët. Mungesa e zinkut shkakton njolla me ngjyrë të verdhë kremi të ndritshme(gjethe me njolla). Gjethet mbeten të vogla e të holla  dhe degëzat janë të shkurtra, duke i dhënë një pamje shkurreje. Gjethet gjithashtu mblidhen rreth kërcejve të shkurtër (rozeta) dhe degëzat e vogla thahen. Simptomat janë shpesh më të dukshme në atë anë të pemës që ndriçohet më shumë nga dielli (pjesët nga jugu).

Simptoma te mungeses se zingut (Zn) ne agrume.

Mungesa e zinkut është zakonisht më e rëndë gjatë rritjes pranverore. Sidoqoftë, kur mungesa është e rëndë dhe bimët nuk janë trajtuar, si gjethet e verës ashtu edhe ato që kanë dalë në pranverë shfaqin të njëjtat simptoma.

Për të korrigjuar mungesën e zingut, aplikoni spërkatje gjethore me sulfat zinku (150 gr/100 l ujë),  mbi gjethet e çelura në pranverë kur ato kanë arritur dy të tretat e përmasës së tyre të plotë.  Në rastet e mungesave të thella bëni dy apo më shumë spërkatje gjatë sezonit. Kombinoni trajtimet kundër mungesës së zingut me mikroelementë të tjerë, nëse vëreni edhe simptoma të mungesës së tyre.

 

Mungesa e manganit shkakton njollosje me ngjyrë jeshile të zbehtë midis venave tek gjethet e reja dhe të vjetra. Përmasa e gjethes është normale. Një rrip i hollë jeshil mbetet në çdo anë të venave kryesore. Simptomat janë më të dukshme në anën jugore të pemës. Në kushtet e mungesës së manganit rritja pranverore  e bimëve është e kufizuar. Mungesat e rënda dhe të vazhdueshme reduktojnë prodhimin dhe rritjen. Gëlqerëzimi i tokave mund ta bëjë mungesën e manganit edhe më të theksuar.

Simptoma te mungeses se manganit (Mn) ne agrume.

Mungesa e manganit mund të korrigjohet me anë të spërkatjeve gjethore me sulfat mangani (100 gr/100 l ujë), ose përzierje mikroelementesh, sipas rekomandimeve të prodhuesve të tyre. 

 

Mungesa e hekurit shkakton një mozaik karakteristike në gjethet e agrumeve që vjen për shkak të humbjes së klorofilës. Në këto raste,  vetëm vena kryesore e gjetheve mbetet je gjelbër, ndërkohë që pjesa tjetër e gjetheve klorotizohet. Hekuri nuk lëviz me lehtësi brenda bimës (bimët nuk mund ta tërheqin nga gjethet më të vjetra, ose organet e rezervës për ta ripërdorur në pikat e reja të rritjes). Për këtë arsye, janë gjethet e reja që preken të parat dhe më më rëndë nga mungesa e hekurit, ndërkohë që të vjetrat mbeten jeshile.

Simptoma te mungeses se hekurit (Fe) ne agrume.

Nganjëherë mungesa e hekurit quhet “kloroza e shkaktuar nga gëlqerja” pasi simptomat e saj janë më të ashpra në tokat gëlqerore (të pasura me kalcium) dhe pH bazik. Kjo ndodh sepse në pH bazik, hekuri kalon në gjendje të pa përvetueshme për bimët.  Problemi përkeqësohet më shumë kur përdoren doza të larta uji për ujitje (gjë që bën që në tokë të ketë më pak oksigjen), ose kur temperatura e tokës është e ulët.

Masat agroteknike të parandalimit të mungesave të hekurit përfshijnë ujitjet e kujdesshme (me doza të vogla uji) dhe përzgjedhjen e nënshartesave tolerante ndaj mungesës së hekurit. Tregjethëshi (Poncirus trifoliata) nuk është nënshartesë e përshtatshme në toka problematike për mungesën e hekurit, sepse kjo nënshartesë është më e ndjeshme ndaj mungesës së hekurit.  Mandarinat janë më tolerante ndaj mungesës së hekurit, nëse mbillen në toka të drenuara mira, limonët janë më të prirur për tu prekur nga klorozat krahasuar me portokajtë dhe qitrot.

Mungesat e hekurit mund të korrigjohen nëpërmjet plehërimit me forma të celatuara të kripërave të hekurit, ose spërkatjeve gjethore me plehra që përmbajnë hekur.

Në kushtet e mungesës së bakrit gjethet marrin shpesh ngjyrë jeshile të errët dhe janë më të vogla se zakonisht, me përjashtim të disa gjetheve gjigante që gjenden në degët e bujshme në formë S-je që dalin nga pemë përgjithësisht të pazhvilluara. Rritja e degëzave është e dobët dhe mund të thahen. Simptoma më karakteristike janë formacionet rrëshinore ngjyrë kafe, që zhvillohen në anët e sheshta të lastarëve të rinj. Në lëkurën e frutave me mungesë bakri zhvillohen gjithashtu zona rrëshinore me ngjyrë kafe dhe frutat çahen. Spërkatjet me bakër, qoftë edhe kur ai përdoret thjesht si fungicid e mbajnë lehtësisht nën kontroll mungesën e bakrit.

mungesë të borit, frutat e agrumeve manifestojnë çngjyrime me ngjyrë gri në kafe dhe vatra rrëshire në pjesën e bardhë të lëkurës. Rrëshira gjendet edhe në tul dhe në pjesën ku tuli takohet me lëkurën. Disa fara nuk janë të zhvilluara si duhet, janë të rrudhosura, kanë ngjyrë kafe dhe janë të ngulura në rrëshirë.

Ndryshe nga dëmtimet e insekteve që shfaqen në trajtën e segmenteve të veçuara e të thara në frut, simptomat e mungesës së borit nuk janë të kufizuara në një apo dy segmente, por përfshijnë pjesën më të madhe të frutit. Agrumet janë të ndjeshëm ndaj tepricës së borit dhe ndaj përdorimit të këtij elementi kur ai nuk nevojitet. Për këtë arsye, përdorni plehra me përmbajtje bori apo spërkasni gjethet me të vetëm kur të jeni të sigurt për mungesën e tij.

Simptoma te mungeses se borit (B) ne agrume.

Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës ose teprices se kalciumit dhe magnezit.

 

Kalciumi dhe magnezi janë elementë të domosdoshëm për aktivitetin normal të bimëve. Funksionet e tyre në bimë janë të shumëllojshme dhe influencojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen dhe prodhimin e bimëve të kultivuara.

Roli i kalciumit në bimë. Kalciumi është element i palëvizshëm në bimë. Ai shërben si komponent në ndërtimin e mureve qelizorë. Pjesa më e madhe e çrregullimeve që lidhen me mungesën e kalciumit në bimë vijnë jo për shkak të pamjaftueshmërisë së tij në tokë, por për shkak të kushteve të pafavorshme të rritjes. Bimët që rriten me shpejtësi, në kushtet e temperaturave të larta janë ato më të rrezikuarat. Të tjerë faktorë që mund të favorizojnë stimulojnë mungesat e kalciumit në bimë janë përmbajtja e lartë e kripërave në tokë, përdorim i dozave të larta të plehrave potasikë dhe amoniakal, si edhe dëmtimet e sistemit rrënjor për shkak të sëmundjeve, ose insekteve.

Roli i magnezit në bimë. Magnezi është element i lëvizshëm në bimë. Ai është pjesë përbërëse e molekulës së klorofilës. Mungesat e magnezit janë më të zakonshme në tokat me teksturë të ashpër dhe sidomos në toka acide, të lehta dhe ranore të zonave me shumë reshje. Mungesa e magnezit mund të nxitet nga përdorimi i dozave të larta të plehrave potasikë. Simptomat shfaqen më shpesh gjatë motit të ftohtë ose në tokat e rënda e të lagështa, kur rrënjët e bimëve janë më pak aktive.

Simptomat e mungesës së kalciumit (Ca) dhe magnezit (Mg).   Simptomat e mungesës së kalciumit shihen rrallë tek agrumet, por mungesa e magnezit mund të shfaqet në tokat ranore që shpëlahen me lehtësi.

Mungesa e magnezit tek agrumet shfaqet me një klorozë (zverdhje) shumë të veçantë në majën e gjetheve të vjetra. Zverdhja fillon pranë anëve të gjetheve  dhe shkon drejt majës, duke lënë një trekëndësh jeshil në bazën e gjethes Gjethet e prekura rrëzohen para kohe në fund të verës apo në vjeshtë. Rënia e gjetheve mund të jetë e rëndë kur bima ka ngarkesë të lartë me fruta. Mungesa e magnezit influencon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e intensitetit të fotosintezës dhe të sasisë së asimilateve të krijuara në bimë. Për këtë arsye, nëse mungesa e tij nuk korrigjohet, do të shoqërohet shpejt me dobësimin gradual të bimëve.

Simptomat e mungeses se magnezit (Mg) ne gjethet e mandarines.

Simptomat e tepricës së kalciumit dhe magnezit. Teprica e kalciumit krijon probleme në asimilim e potasit dhe të magnezit. Ndërkohë, bimët tolerojnë përqendrime të larta magnezi, ndonëse prishja e raporteve normale të tij me kalciumin dhe potasin mund të shkaktojë probleme të mungesës së këtyre të fundit.

Mënyra e korrigjimit të çrregullimeve për shkak të mungesës kalciumit dhe magnezit.

Mungesa e kalciumit dhe magnezit duhet të kompensohet nëpërmjet plehërimeve me plehra që përmbajnë kalcium. Mënyra  më e mirë është  shpërndarja gjatë vegjetacionit nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika.

Në korrigjimin e mungesave të kalciumit mund të përdoren edhe trajtimet gjethore me nitrat kalciumi (1kg/100 L ujë). Një tjetër masë lehtësuese është zvogëlimi i dozave të plehrave potasikë dhe amoniakalë, si edhe gëlqerizimi i tokës në rastet kur pH i tyre është shumë acid.

Në korrigjimin e mungesave të magnezit mund të përdoren gjithashtu trajtimet gjethore me sulfat magnezi (2 kg/100 L ujë), nitrat magnezi (1 kg/100 l ujë) ose përzierje industriale mikroelementesh që përmbajnë sasi të mëdha magnezi, në dozat e rekomanduara nga prodhuesi. Në rastet kur mungesa të kombinuara të kalciumit dhe magnezit mund të përdoren për trajtime gjethore përzierje të formuara nga tretja e 1 kg nitrat kalciumi dhe 1 kg nitrat magnezi për 100 litra ujë.

Trajtimet gjethore për korrigjimin e mungesës së kalciumit dhe magnezit duhet të bëhen pasi gjethet kanë arritur 2/3 e madhësisë së tyre dhe mund të përsëriten disa herë, deri në eliminimin e plotë të simptomave të mungesës.

Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës ose tepricës së potasit.

 

Roli i potasit në bimë. Potasi është element i lëvizshëm në bimë. Në kushtet e pamjaftueshmërisë në tokë, ai shpërngulet nga gjethet e vjetra tek më të rejat. Potasi shërben si katalizator dhe transportues i joneve. Mungesa e potasit ndikon në qarkullimin e ujit për shkak se ndikon në turgorin qelizor dhe në funksionimin e gojzave të gjetheve. Në kushtet e mungesës së potasit bimët janë të predispozuara të vyshken. Megjithëse për shkak të mungesës së potasit rritja e bimëve mund të mos reduktohet seriozisht, prodhimi dhe cilësia e frutave shpesh ulen ndjeshëm.

 

Simptomat e mungesës së potasit,  ndryshojnë në varësi të llojit të agrumeve. Shpesh ato nuk janë të lehta për tu dalluar dhe mund të ngatërrohen me probleme të tjera. Simptomat përfshijnë rritje më të ngadalshme të pemës, gjethe të vogla dhe rrëzim masiv të tyre, shpesh e paraprirë nga zverdhja e gjetheve apo bronzimi i tyre. Mungesa e potasit shoqërohet gjithashtu nga tharje e majës së degëzave dhe pakësim i numrit të luleve. Vonë në verë trajtat e zverdhjes së gjetheve janë të parregullta dhe në formë njollash, që fillojnë pranë gjysmës së gjethes nga maja. Zverdhja më vonë bëhet e bronztë dhe me konture më të çrregullta. Frutat janë të vegjël; lëkura është e hollë, e lëmuar, e prirur të ngjyroset më herët dhe çahet lehtësisht. Nga ana tjetër, rrudhosjet e lëkurës janë të shpeshta.

Mungesat e lehta të potasit nuk ndikojnë në prodhim, megjithëse frutat mund të jenë më të vegjël. Ndërkohë, mungesa e theksuar e tij redukton ndjeshëm prodhimin duke shkaktuar rrëzim masiv të luleve dhe të frutave.

 

Simptomat e tepricës së potasit. Teprica e potasit vonon pjekjen dhe i bën fruta e portokallit të trashë, të mëdhenj, me më shumë aciditet dhe më pak të lëngshëm. Lëkura e tyre trashet dhe rrudhoset si dhe rritet intensiteti i ngjyrës së gjelbër. Ndërkohë, teprica e potasit nuk e prek cilësinë e limonëve, por mund të theksojë mungesën e magnezit.

Potasi i shkëmbyeshëm në tokë është forma më e disponueshme për bimët. Ai riplotësohet me ngadalë nga rezervat tokësore. Në përgjithësi, tokat ranore kanë më pak potas krahasuar me tokat e rënda. Pjesa më e madhe e potasit gjendet pranë sipërfaqes. Thatësira mund të pakësojnë tërheqjen e potasit nga sipërfaqja e thatë e tokës, duke çuar në mungesë së përkohshme të këtij elementi për bimët.

 

Mënyra e korrigjimit të çrregullimeve për shkak të mungesës ose tepricës së potasit. Mungesa e potasit mund të korrigjohet duke përdorur klorur potasi, sulfat potasi, ose plehra të kombinuar. Kloruri i potasit është më i lirë sesa sulfati i potasit dhe mund të përdoret në të gjitha situatat përveç atyre ku kripëzimi përbën një problem. Për të korrigjuar mungesat e rëndë të potasit, shpërndani në një aplikim të vetëm 1-2 kg K për pemë. Kjo sjell përmirësimin më të shpejtë të mundshëm. Duke qenë se potasi nuk shpëlahet lehtësisht nga pjesa më e madhe e tokave, efekti do të zgjasë për disa sezone me radhë. Kjo mënyrë shpërndarjeje ka kosto më të lirë sesa aplikimi i dozave më të vogla të përvitshme.

Përmbajtje e rekomanduar e potasit në tokë është 12-15 ppm (K). Për të rritur përmbajtjen e fosforit në tokë me 5 ppm, nevojiten rreth 6–125 kg/ha sulfat potasi në tokat ranore, 250-350 kg/ha sulfat potasi në toka argjilo-ranore dhe 500 kg/ha në tokat argjilo-lymore.

Mënyra më e zakonshme për shpërndarjen e plehrave potasikë është në formën e brezave, në brazda të hapura në thellësi 15-20 cm. Për të shmangur dëmtimet e shpeshta të sistemit rrënjor, për shkak të hapjes së brazdave për plehërim, shpërndani njëherësh të gjithë sasinë e plehrave fosforikë që nevojitet për 3-4 vjet.

Në toka të lehta dhe në rast se ujitja realizohet me anë të sistemeve të ujitje me pika, plehrat mund të shpërndahen edhe në sipërfaqe, përgjatë tubit të ujitjes, për të mundësuar tretjen dhe depërtimin gradual në tokë. Gjithsesi, mënyra më e mirë e shpërndarjes së plehrave fosforikë është bashkë me ujin, nëpërmjet sistemeve të ujitjes me pika. Në këtë rast duhet përdorur plehra potasikë me tretshmëri të lartë, sic është kloruri i potasit (KCl), nitrati i potasit (KNO3), ose plehra komplekse me tretshmëri të lartë.

Çrregullimet fiziologjike të agrumeve për shkak të mungesës ose tepricës së fosforit.

 

Roli i fosforit në bimë. Fosfori është element i lëvizshëm në bimë. Ai gjendet në përbërje të acideve nukleike dhe të ATP. Bimët kanë nevojë për fosfor në të gjitha fazat e rritjes së tyre, por kërkesa për këtë element është më e madhe gjatë dhe menjëherë pas mbjelljes, si edhe gjatë fazave të para rritjes së bimëve. Në qoftë se sasia e fosforit në tokë pakësohet, ai rimobilizohet dhe transportohet  nga indet më të vjetra tek ato më të rejat; gjethet, rrënjët dhe majat e rritjes. Kastraveci, ka nevojë për një furnizim të rregullt me fosfor gjatë të gjithë kohës, në mënyrë që prodhimi i frutave të jetë i stabilizuar dhe i lartë.

Simptomat e mungesës së fosforit. Rrallëherë ndodh që rritja e pemës apo prodhimi i saj të preken nga pamjaftueshmëria e fosforit, apo që simptoma të mungesës së këtij elementi të shfaqen në gjethe. Kur kjo mungesë ekstreme ndodh, gjethet marrim ngjyrë jeshile në të bronztë të turbullt dhe rrëzohen me lehtësi.

Pamjaftueshmëria e fosforit dëmton cilësinë e frutave, duke shkaktuar çrregullim të formës së tyre, zgavrimin e qendrës së frutit dhe lëkurë të trashë e të ashpër. Frutat janë mishtorë dhe kanë përqindje të ulët lëngu. Ky i fundit ka aciditet të lartë. Sasia e lëndëve të ngurta të tretshme (përmbajtja e sheqerit) në lëng zakonisht nuk preket. Ndikimi i mungesës së fosforit në cilësinë e frutave është edhe më negativ nëse ai shoqërohet me tepricë azoti. Një plehërim i balancuar me azot dhe fosfor jep si prodhim të lartë ashtu edhe cilësi të mirë frutash.

Simptomat e mungesës së fosforit të shoqëruara me teprica të azotit, të manifestuara me çrregullime të formës së frutave (frutat majtas dhe djathtas), trashjen dhe ashpërsimin e lëkurës.

 

Simptomat e mungesës së fosforit të shoqëruara me teprica të azotit, të manifestuara në zgavrimin e frutave (frutat majtas dhe djathtas) dhe trashjen e lëkurës.

 

Simptomat e tepricës së fosforit. Teprica e fosforit nuk shkakton ndonjë humbje në prodhim apo në cilësinë e frutave, por ajo mund të ndikojë në theksimin e mungesës së zinkut në pemë.

Mënyra e korrigjimit të çrregullimeve për shkak të mungesës ose tepricës së fosforit. Mungesa e fosforit duhet të kompensohet nëpërmjet plehërimeve me plehra fosforikë. Përmbajtje e rekomanduar e fosforit në tokë është 25-35 ppm (P). Për të rritur përmbajtjen e fosforit në tokë me 10 ppm, nevojiten rreth 250 kg/ha superfosfat në tokat ranore, ose argjilo-ranore dhe 500-700 kg/ha në tokat argjilo-lymore.

Fosfori lëviz shumë pak në tokë dhe prandaj mund të jetë e  vështirë të arrihet nga rrënjët e bimëve. Shpërndarja e fosforit mund të jetë e paefektshme, apo ai të thithet me vonesë, sidomos kur toka ka veti të mëdha fosfor-mbajtëse. Punimet e shpeshta që shkaktojnë gjithashtu shkurtimin e sistemit rrënjor, thatësia dhe temperaturat e larta të sipërfaqes së tokës e kufizojnë shpërndarjen e tij në tokë në një thellësi prej pak centimetrash nga e tokës, duke e bërë të vështirë korrigjimin e shpejtë të mungesës së fosforit.

Krahasuar me azotin,  koha e aplikimit të plehrave fosforikë është më pak e rëndësishme. Ai  shpëlahet shumë pak nga toka dhe bimëve do tu duhet nga tre muaj deri në tre vjet për ta asimiluar plotësisht. Gjithsesi është e rekomandueshme që plehrat fosforikë të shpërndahen në fund të dimrit, apo në fillim të pranverës.

Mënyra më e mirë për shpërndarjen e plehrave fosforikë është në formën e brezave, në brazda të hapura në thellësi 15-20 cm. Për të shmangur dëmtimet e shpeshta të sistemit rrënjor, për shkak të hapjes së brazdave për plehërim, shpërndani njëherësh të gjithë sasinë e plehrave fosforikë që nevojitet për 3-4 vjet.

Në toka të lehta dhe në rast se ujitja realizohet me anë të sistemeve të ujitje me pika, plehrat mund të shpërndahen edhe në sipërfaqe, përgjatë tubit të ujitjes, për të mundësuar tretjen dhe depërtimin gradual në tokë. Lëvizja e fosforit në drejtim të rrënjëve është e ngadalshme, kështu që nevojitet të merren masa për të nxitur rritjen e rrënjëve që gjenden në sipërfaqe të tokës. Shfrytëzimi i mulçirimit do të ishte një masë shumë efektive për këtë qëllim, sepse ky i fundit nxit rritjen e rrënjëve pranë sipërfaqes së tokës.

Gjithsesi, mënyra më e mirë e shpërndarjes së plehrave fosforikë është bashkë me ujin, nëpërmjet sistemeve të ujitjes me pika. Në këtë rast duhet përdorur plehra fosforikë me tretshmëri të lartë, sic është mono amoni i fosforit (MAP), ose plehra komplekse me tretshmëri të lartë.

Krasitja prodhuese në kurorat e lira.

 

Krasitja prodhuese në kurorat e lira realizohet tek pemët qe janë shartuar mbi nënshartesa  me rritje te fuqishme, ose tek pemët fiziologjikisht te fuqishme; molla dhe dardha mbi nënshartesë farore, bajamja, arra etj. Në këto raste, përgjithësisht kemi te bëjmë me kurora te larta dhe degë të fuqishme.

Pas formimit te kurorës, ne peme nuk ndërhyjmë ne 2-3 vitet e para. Pema lihet te formoje vete   degët e dyta skeletore, mbi te cilat do te vendosen degëzimet prodhuese. Gjate kësaj kohe krasitja konsiston, ne heqjen e thithakëve qe dalin  afër qafës se rrënjës, ne trung dhe ne pjesët e tjera shumëvjeçare. Kur pema ka hyre ne prodhim, ndërhyjmë çdo vit, për te hequr degët e thara, degët e thyera  dhe ato qe dalin ne pozicione te papërshtatshme (qe pengojnë për te vjele pemën apo  dendësojnë kurorën nga brenda) dhe thithakët.

E rëndësishme për këto  forma kurorash është krasitja rralluese. Kjo krasitje behet çdo 3-5vjet dhe konsiston në:

  • Uljen e kurorës, duke prere vazhduesit mbi një degëzim te mëposhtëm siç shihet ne skicën e mëposhtme. Prerjet duhet te jene te tilla qe te ruajnë formën e kurorës. Pra, bëhen me te renda ne pjesët e sipërme te kurorës, dhe më të lehta ne pjesët e mëposhtme.
  • Heqjen ose shkurtimin e degëve që kryqëzohen.
  • Heqjen e njërës nga degët që dalin çift ose ndodhen shume afër njëra tjetrës.
  • Heqjen e degëve qe ndodhen brenda kurorës.
  • Heqjen  e degëve të përkulura nga  prodhimi dhe qe janë dobësuar. Preja e tyre behet mbi degën qe ka dale ne vendin e përkuljes. Kjo përkulje ka ardhur si rezultat i transformimit te degës  vegjetative ne prodhuese.

 

Skematikisht ky proces realizohet si vijon:

Vitin e pare  është formuar një degëz drunore. (1).

Vitin e dyte sythi i majës se kësaj degëze ka dhënë një degëz drunore, me poshtë një degëz te holle dhe një te shkurtër, ndërkohë që afër bazës sythat nuk çelin (2).

Vitin e trete,  sythi i majës ka dhënë përsëri degëz drunore,  poshtë saj ka dhënë degëza te shkurtra, dhe sërish afër bazës sythat nuk kane çelur. Degëza e holle dhe e shkurtër e formuar ne vitin e dyte kane  diferencuar ne maje syth frutor (3).

Vitin  e katërt, degëza e shkurtër dhe e holle kane dhënë fruta dhe ne baze te tyre janë formuar  degëza torbeste qe përmbajnë  degëza te shkurtra. Nga pesha e frutave  dega është  përkulur (4).

Vitin e peste, ne vendin e përkulur ka dale një dege drunore dhe degëzat e shkurtra kane dhënë fruta.  Degëza drunore e dale ne  vendin e përkulur, vazhdon ciklin, duke dobësuar  pjesën ne vazhdim te degës nga ka dale. Kur  pjesa e vjetër është  dobësuar dhe nga zëvendësuesi dalin degëza prodhuese  behet prerja e tyre mbi zëvendësues (5). Me këto prerje  ruajmë formën e kurorës,  afrojmë prodhimin afër qendrës dhe ripërtërijmë degët dhe degëzimet.

Krasitja e gjatë prodhuese.

 

Parime të përgjithshme të krasitjeve të gjata.

Krasitja e gjatë përdoret në pemët e fuqishme, në lastarë qe kane pozicion horizontal ose afërsisht horizontal  dhe rritje mesatare (20-40cm gjatësi në vit). Nuk aplikohet ne lastarë  të fuqishëm. Lastarët e fuqishëm konkurrojnë shume lastarët e tjerë prodhues, dendësojnë kurorën  futen më vonë në prodhim dhe prodhojnë në maje duke rrezikuar thyerjen e tyre nga pesha e prodhimit. Për këtë arsye, kur ata  ndodhen ne pozicione te nevojshme, trajtohen njësoj si në krasitjen e shkurtër,  ndërsa në raste të tjera hiqen tërësisht që nga baza.

Praktikisht, krasitja e gjatë realizohet si vijon;

1. Degëzat drunore që ndodhen mbi degët kryesore, rrallohen duke i lënë  në distance 15-20 cm. Është mire qe ato te lihen anash degëve kryesore dhe në mënyrë të këmbyer. Kur degëzat kanë pozicion vertikal përkulen, ndërsa degëzat e shkurtra dhe të holla nuk preken.

2. Siç shihet ne figure, nga këto degëza, vitin pasardhës zhvillohen 1-3 degëza jo frutore  në majë dhe  degëza te shkurtra  frutore drejt bazës,  ndërkohë  që sythat e bazës nuk çelin. Ne dimrin e këtij  viti ato shkurtohen mbi degën e fundit frutore.

3. Gjatë  verës në gjatësi të degës  janë formuar fruta, dega nga pesha e tyre, përkulet dhe në bazën e saj, nga sythat e bazës që nuk çelën vitin e kaluar mund të dalin degë zëvendësuese. Pavarësisht nga kjo, sythat e bazës që qëndruan të fjetur kane aftësi të zgjohen, nqs  dega pritet vitin tjetër në largësi 3cm nga baza.

4. Dimrin e ardhshëm, në krasitjen dimërore, dega pritet mbi degën e dalë në vendin e përkulur ose në largësi 3cm nga baza kur nuk ka dale degë. 

5. Në vendin e prerjes do te dalin një ose dy degë, nga të cilat njërën e heqim në verë (maj) dhe tjetrën e lëmë të përsërisë ciklin.

Krasitja e shkurtër prodhuese e mollës dhe e dardhës me kurore të drejtuara dhe të detyruara.

 

Rregulla te pergjithshme të krasitjes së shkurtër prodhuese. 

Krasitja e shkurtër prodhuese është metode tradicionale e përdorur ne format kordon për te  mbajtur prodhimin afër kordonit, duke formuar hallka te përhershme prodhuese te përbëra nga degëza te shkurtra dhe torbeste.  Krasitja e shkurtër zbatohet edhe si forme plotësuese ne krasitjen e gjate,  për ta kombinuar atë me dege te përhershme prodhuese ne pozicione ku nuk mund te leme dega te gjata,  sepse shkaktojmë dendësim te tyre, ose kur dega ndodhet afër vazhdueseve për te mos i konkurruar. Gjithashtu, kur largësia e rekomanduar e degëve ne krasitjen e gjate nuk mund të sigurohet me ane te rrallimit, aplikojmë midis dy degëve te gjata krasitje te shkurtër, për te mos shkaktuar zhveshje, apo dendësim të tepruar. Një krasitje  e tille e kombinuar do te ishte më e rekomandueshme.

  1. Shkurtimi i degëve. Ne krasitjen dimërore behet shkurtimi  i degëve drunore ne 3- 4 sytha   Si rregull, kur dega ka rritje mesatare nga  sythat e lënë do te zhvillohen 2-3 dege drunore dhe 1-2 dege te shkurtra. 

 

2.   Gjate verës (Qershor) ose dimrin tjetër pritet degëza  mbi degëzën prodhuese (te shkurtër).

3.   Verën e ardhshme, nga degëza e shkurtër do te formohen fruta ne maje dhe anash 1-2 degëza te shkurtra, te cilat ne dimër, nuk krasiten.

4. Kur degëzat prodhuese komplekse, dendësohen dhe vjetrohen,  bëjmë rrallimin dhe afrimin e tyre me degën kryesore duke hequr degëzat e shkurtra nga brenda, si dhe ato qe ndodhen ne lartësi.  

Vitin tjeter krasitja do behet mbi dy degezate aferta me degen kryesore.